Tuesday, October 19, 2010
Biografia " Gjergj Fishta " By Gramos
Gjergj Fishta lindi më 23 tetor 1871 në qytetin e Lezhës.Në famulli u regjistrua me emrin Zef. Më 1886 ai vazhdon studimet për filozofi dhe teologji në Bosnje.Sipas rregullave franceskane ai e ndërron emrin në Gjergj, emër të cilin ai e mbajti deri në fund të jetës së tij.Gjergj Fishta kreu studimet e larta për filozofi e teologji. Ai e filloi veprimtarinë studimore në Gomsiqe ku, siç rezulton, shkoi i nxitur edhe nga interesa hulumtuese, shkencore.Në këtë zonë, ai njohu "shpirtin e racës", mënyrën tradicionalisht shqiptare të jetesës, gojëdhënat, doket, zakonet, normat juridike etj., të cilat do t’i shfrytëzonte mjeshtërisht për veprat e tij. Ai dhe Shtjefën Gjeçovi bënë që Kisha e Gomsiqes të shndërrohej në një institut të vërtetë hulumtimi shkencor.Fishta njihet në historinë shqiptare si letrar edhe si politikan.Në vitin 1902 ai u bë drejtor i të gjitha shkollave franceskane në Shkodër dhe është i pari që futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi. Por Gjergj Fishtën e shikojmë edhe si nënkryetar parlamenti dhe si deputet të Prefekturës së Shkodrës.Më 1908 Fishta kryesoi komisionin për hartimin e alfabetit, të cilin Kongresi i Manastirit e miratoi si alfabet të vetëm të shqipes.Shkencëtari i gjuhësisë, Gjergj Fishta, dha një kontribut të çmuar për krijimin e gjuhës shqipe të njësuar. Ai ishte i bindur se gjuhët nuk krijohen nga bashkimi apo shkrirja e dialekteve, por nga zgjedhja e një dialekti. "Alfabeti shqiptar i asaj kohe është gati i përkryer, thotë Kadareja, dhe po ju kujtoj se kryetari i komisionit të Manastirit të alfabetit shqip ka qenë Gjergj Fishta. Pra nuk ka qenë një njeri nga Jugu, po ka qenë një nga shkrimtarët më të shquar nga Veriu".Fishta është një personalitet profetik i kulturës shqiptare, jo vetëm si shkrimtar, por edhe si kritik, historian, filozof, etj. Për disa studiues, Fishta filozof është quajtur më së shumti si një përfaqësues i filozofisë kristiane. Të tjerë, përkundrazi, kanë vënë në dukje faktin se ai është ndikuar po aq nga Platoni e filozofë të tjerë të lashtë, nga idealizmi gjerman i Hegelit etj.Nuk ishte vetëm njeri me vullnet politik, por politikan, madje edhe politolog. Ai, në stilin e Makiavelit të disa shekujve para tij, vrojtoi sjelljen e klasës politike të fillimit të shek. XX dhe fshikulloi, siç dinte ai, mediokritetin e qeverive të kohës, politikat e mbrapshta etj. Një mendimtar si ai, aktiv në politikë e diplomaci (deputet i Shkodrës, anëtar i Parlamentit të parë Shqiptar dhe nënkryetar i tij, përfaqësues në konferenca ndërkombëtare etj.), nuk mund të mos ishte edhe politolog.Fishta ka arsye të cilësohet edhe si një ndër pararendësit e sociologjisë shqiptare. Fishta ka trajtuar një problematikë e cila është, gjithsesi, në fokus të sociologjisë bashkëkohore: të sociologjisë religjoze, të kulturës, artit e komunikimit, të moralit e të edukimit, të sociologjisë së familjes (kompleksi i marrëdhënieve familjare, martesa, familja, divorci etj.). Pra mund të pohoet se ai ka vendosur një gur themeli në godinën sociologjike shqiptare.Me "Lahuta e Malcis", Fishta është quajtur "Homeri i shqiptarëve". Por Fishta ishte edhe një eksplorator i madh, që ka bërë të njohur jetën e popujve që ka takuar dhe, në këtë vështrim, ai është quajtur si një ndër etnologët e parë. Me të njëjtën logjikë Fishta ishte një ndër etnologët e parë shqiptarë. Ai ishte edhe psikolog apo etnopsikolog, në kuptimin që kanë marrë në kohën tonë këto fjalë.Më 1919, ai merr pjesë në delegacionin shqiptar në konferencën e Parisit nga ku mban edhe një fjalim mbi shqiptarët dhe të drejtat e tyre. Është graduar dhe dekoruar nga shumë shtete të Evropës, dhe ka marrë pjesë në shumë konferenca të ndryshme politiko-shoqërore.Veprimtaria e tij letrare është shumë e gjerë, duke renditur këtu: satirën, lirikën, dramën, dhe përkthime. Është nderuar me disa çmime e tituj, u bë anëtar I Akademisë Italiane, si dhe u propozua për çmimin Nobel.
Subscribe to:
Posts (Atom)